Prozë (Poetike)



Cigarja



Nji mendim i ngushtë


Më pëlqen të mendoj për cigaren. Më pëlqen t'a shoh sesi fryma ime e djegë dhe ajo shkrihet për t’u bërë tym e hi.
Ka nji lloj sadizmi të fshehtë që ajo zbulon në natyrën time. Pse kush guxon ta pranojë? E vërteta është se, kjo nuk është bash sadizëm. Kjo është veç nji mënyrë për t’i thanë jetës, hej – s’je bash e veçantë.

Kur cigarja digjet, secili çast që e çon më tepër drejt shuarjes merr veti të shenjta. Bëhet Papa që venitet, e besimtarët e shijojnë me ankth prezencën e tij. Pse, a thu, frikësohemi t’i shijojmë çastet e kandshme deri në palcë?, - të vetëdijshëm për fundin, dojmë me i zgjatë patetikisht përtej potencialit të tyre për jetëgjatësi, duke e humbë ndërkohë përjetimin. Kur e nisë nji cigare, ajo niset për nji fund. Pije mirë, ose leje - ajo mbetet  nji përjetim unik dhe i pavarun. S’ka rëndësi nëse i ke pi dhjetë... S’ka rëndësi nësë kurrë më herët s’ke pi, ose kurrë më pas s’do të pish. Rëndësi ka momenti aktual në të cilën ajo është në dorën tënde, në gojën tënde dhe aroma yte përzihet me të...edhe erotike të jetë, ani çka. Pse më pëlqen të mendojë për cigarenështë se më mbjellet në mendje si sinonim i jetës. Si sinonim i vdekjes poashtu. Tipikisht, si sinonim i te dyjave. Kur nji cigare rrin në paqetë pa u ndezë, ajo është nji gjë e fjetur e cila s’ka as fillim as fund. Kur ajo ndizet, jeta e saj e shkurtë merr formë përmes dikujt edhe ajo është vet jeta dhe vdekja e vetvetes dhe e tjetrit. A s’është njejtë edhe kur ne e ndajmë vetën më të tjerët, e bëhemi nji minus në kohën tonë dhe në kohën e tyre e duke jetuar bashkë shkojmë drejt vdekjes? Hmmm...”Njohja” është sinonimi që më mbillet në mendje. Nevoja bërthamë e njeriut. Kur njeriu e ndezë nji cigare ai e ndjenë prezencën e vet. Ka nji ceremoni, nji ndezje, nji tym, dy, tre... nji pozitë për t'a shkundë e nji për t'a fikë. Nji shok për vetminë. Nji shok që s’flet, që s’është, por të ndihmon të jesh. Kaq besnik dhe intim. Nji moment i veçantë, kur i thua vetes “Ok, edhe nji ditë”. Duhanpirësit e tolerojnë vdekjen e ngadaltë dhe janë më të ndershëm se ata që pohojnë së po e ruajnë shëndetin, për t’iu rënë krejt nji ditë të vetme. Të vetëdijshmit qeshin me tymin e tyre, të pavetëdijshmit ankohen. Në mes të dyve qëndron shija e pamohueshme e këtij çasti ritmik si vet fryma jonë që e marrim e e lëshojmë natyrshëm. 
Më pëlqen të mendoj për cigaren. Për arsyet pse ajo bëhet objekti ma i afërt me njeriun. Për arsyet pse ajo i shërben ditëve të tij. Për arsyen se në mes të saj dhe njeriut mbahet peng veç nji dallim, dora e kujt e mbanë kë. Kush e pin kë... dhe kush do ta kujtojë kë. Si nji mendim i ngushtë, që duhet të jetë mjaftueshëm i mprehtë për ta therrë ironinë mbrapa. Për t’i thënë jetës, hej –s’je aq e veçantë.


                                                
























Popular Posts