Kërkoj fjalën



Kërkoj fjalën…
fjalën e kaher’thënë
një fjalë të thënë moti
ndër mote të ndrruara
e njerëz të harruar,
atë fjalë që s’ma mësuan
Se s’e ditën
që s’e ditën…
Fjalën,
Kërkoj,
ta di
jam duke e kërkuar
qe moti kohë
Atë fjalë, të ngadhnjej’
mbi fjalët e pathëna           
të miat
të tuat
të tyre
të gjithkujt…
t’fjalëve t’kota
t’fjalëve që trokëllijnë
si këmbë kuajsh të tredhur
që s’dëgjohen,
e s’çmohen
nga asgjë, nga askush…
o fjalë!
A mund ta gjesh vetveten?
A mund t’ma kujtosh dhe mua
se cila ishe
se rrugës së kërkimit tënd
kam harruar të pyes veten
cila ke qenë?
Të kam harruar,
e panjohur për mua qysh atëherë mbete
të kam harruar,
dhe prap të kam kërkuar
o Fjalë…
si s’më del nga diku
atje,
ku ende s’të kam gjetur,
si s’më vjen të t’them
a si s’të vjen ta thuash veten
dhe të jemi të thëna, bashkë
e t’i japim fund këtij kërkimi
shekullor
të stërmunduar
e stërvjetruar
nga ti, fjala ime e heshtun’,
e pafjala fjala ime.
Më prit, se një ditë
do të t’them
te dikush.
Afromu, se një ditë
ti do lindesh te unë
dhe unë do jem e rilindur nga ti
afro, fjala jetë.

Comments

Popular Posts