Një pikë shi mbi xham



bjen, po po - bjen
ashtu si fjalët e mia që s'dojnë me ditë për racë
të bardha, të zeza
si retë në qiell njejtë vijnë,
të njejtin shi e bijnë...

edhe sonte, një pikë shi mbi xham
është krejt çka më duhet
për t'më dalë në shesh të ballit e vërteta e k'saj jete,
po, një pikë shi është krejt çka më duhet
për t'u rrokullisë brenda meje një qelizë e re
ndoshta prej ballit sonte i fshi djersët e mllefit
e në mëngjes pudra e një shprese të re më bën të dukem më bukur...
po' çka? edhe pudra bjen
ashtu si gjethet në vjeshtë (që janë bërë mërzi e poezive)
bjen, edhe njeriu (që është bërë mërzi e vetes),

kush e di, në ramjen e gjërave mund të fshihen grimca ushtarësh të fjetur
që i flasin njëri-tjetrit fjalë kurajuese
e nga fjalët e tyre, grimca të tjera ngriten
e kështu një dorë e heshtur e kap' njeriun për fyti
jo për ta mbytur, po' për ta ngjallë
me një fjalë, të bardhë, që s'njeh racë...

gjithçka ndodh,
krejt çka shohim ne është një pikë shi mbi xham...


Comments

Popular Posts