Vjeshta

Ndijime të ftohjes
më përshkojnë
përmes erërave përndjekëse
që vijnë nga askund
e janë kudo.

Rrugës së pemëve në këtë qytet pa ngjyra
vërej prezencën tënde.
S’ke ndryshuar
por as s’je e njejta
E bukura mbetesh, vjeshta ime.

Sa here kam ëndrruar ta zgjatja pranverën pafund
e verën ta bëja të përsëritej,
e ti m’i shembje ëndrrat e stinëve
duke i zhveshur përvuajtshëm për mot.

E verbuar nga ndriçimi vezullues i stinëve të nxehta
s’e njoha gjysmën e botës,
pandeha që ishe vdekja, kur ti ishe vet jeta.

Shi i rrëmbyeshëm gjethesh pikon lehtas
në trotuaret e rrugës së pemëve
Ceremonia e vjeshtës ka nis.
Sa e bukur është vallja jote,
harmoni hapash që ndjekin ritmin e melodisë së jetës.

Ti je stina e madhështisë, në fillim,
e e mëshirës, në fund.
Ti hjekë gjelbërimin
për të dhënë mijëra ngjyra tjera,
alkimi e gjallë.
Ti hijëzon diellin
që të fryjnë erërat,
freski për shpirtërat.

Je akti i gjallë i tretë i dramës së kësaj gjallërie
ku unë fundosem në rolin e heshtjes
të soditjes së pangopshme të syve t’shpirtit
prej nga maturohem nga çdo ardhje e jotja
derisa një ditë do ta njoh atë gjethin e mbramë të rënë në qoshe.
Je piktura e gjallë, e e prekshme
e të Vetmit artist të Vërtetë,
e unë ndjej veten tek endem në këtë ekspozitë kryeveprash
gjersa ta gjej gjethen time mes gjetheve të rëna të tua
e të bindem që jemi Një,
ti dhe unë jemi vepra arti
prandaj u njohëm sot.

Do të endem edhe pak kohë në këtë cikël stinësh
që portretizojnë jetën
Në lindjen e pranverës
kujtoj ardhjen time këtu,
në kënaqësinë e verës,
kujtoj hutimin dhe ekstazën e shkëlqimit të diellit
në madhështinë dhe mëshirën e vjeshtës,
shembjen e iluzionit të t’mëparshmes  që kujtoja se s’ikën –
duke ateruar në realitetin e kalimtares
që mund të ishte e vrazhdë
por jo, -
ajo është e qetë, e ngrohtë, e dashur
që përzhbiron edhe një zemër-gur.

E në dimër, do t’bëhem gati
të nisi gjithçka prej fillimi.

Ti më flet me ardhjen tënde
unë të dëgjoj me heshtjen e mirëpritjes sime,
shoh se si buzëqesh në fytyrën e natyrës
e më bën të buzëqesh edhe mua,
ndjej shprehjen tënde të ëmbël shumëngjyrëshe
që më ëmbëlson edhe mua.

Një ditë do t’më vish
për t’më marrë në botën tënde
ku do t’më shkrijsh në ngjyrë,
do të jem edhe unë vjeshtë.

E di,
që ke pak çaste kohë për të ndenjur
por në këtë moment të ardhjes tënde
dëshmoj se je këtu,
ekziston në mua,
prehje
o stinë e shpirtit tim.


Comments

Popular Posts