Eja dhe po vi'...



Sot,
për ta gëzuar fundin e t’gjitha fillimeve
kam veshur një fustan të mëndafshtë,
e parfumin që kam vënë është i lules që s’qe mbjellë’ asnjëherë
e që asnjëherë s’mund të vyshket…
e në zemër kam vënë një xherdan,
i bërë nga dritë e jetës,
e kam vënë vetëm për të,
për të, që ma dhuroi…
nuk e di, se s’i mund të quhet diçka e dhënë
që s’i takon asgjëje për t’cilën do t’duhej t’ish’ dhënë
dhe rri pezull, por aq ëmbël, në vetveten…
a mund të imagjinohet, a të kërkohet në këtë botë me gur
një dhuratë e tillë jashtë shijes njerëzore?

Sot,
do të jem unë ajo që pres dhe ajo që vjen
e ty të lutem, ma bëj zemrën mjaftueshëm të hijshme për këtë dhuratë
të mund t’i falënderohem dhuruesit sa herë të marrë frymë…
e sa herë, aroma ime të shpërndahet në ajër, të dëshmojë prezencën tënde.

Eja dhe po vi’,
dhe asnjë lëvizje s’është e thënë të bëhet.

Comments

Popular Posts